K.F.LUSHNJA

82 Vjet Histori 1926-2008 L@GUN@

lajme

Gjyla e nis mirë në krye të Lushnjës

2 Shkurt 2009   Trajneri lushnjar Ilir Gjyla shprehet se ekipi mund të kishte marrë fitoren në Kavajë

Premiera e Ilir Gjylës në stolin lushnjar është mbyllur me një pikë të marrë në një transfertë të vështirë, siç ishte cilësuar ajo e Kavajës, ku ekipi lushnjar pati përballë ekipin e Besës, pra vendin e katërt në klasifikim. Lushnjarët e vendit të fundit të kampionatit janë matur si të barabartë në fushën e lojës, madje disa herë kanë qenë edhe pranë golit, i cili mund t’i çonte në marrjen e tri pikëve në këtë takim.

Edhe pse pa merkato fare dhe me një kontigjent futbollistësh që trashëgoi nga paraardhësi i tij, Ilir Gjyla vuri në shumë pikëpyetje një ekip mjaft të paguar dhe me shumë përforcime.

Megjithëse mori një pikë nga ky takim i rifillimit të kampionatit, Ilir Gjyla nuk është i kënaqur në aspektin faktik, pasi mendon se mund të merrte më shumë nga ky takim.

”Kemi luajtur me ide të qarta dhe mjaft efektiv në fushën e lojës, ndaj një kundërshtari që në fazën e parë na kishte ndëshkuar në fushën tonë. Djemtë u sollën si profesionistë në këtë takim, duke më kënaqur me atë që dhanë në fushën e lojës. Më mbetet peng se, nëse do të ishin më të kujdesshëm, sulmuesit e mi do të kishim dalë me tri pikë. Lushnja nuk fitoi një pikë, por humbi dy të tilla për mendimin tim,” - tha fillimisht në prononcimin e tij trajneri i verdhejeshilëve, Ilir Gjyla, që drejton ekipin lushnjar vetëm prej 4 javësh.

Dora e tij është ndier në skuadër dhe të gjitha rastet që kanë pasur lushnjarët kanë qenë si rrjedhojë e një loje logjike dhe josporadike, si ekipi kundërshtar. Këtë merak e ka edhe Gjyla, i cili shprehet se, nëse sulmi do të ishte më efektiv, gjithçka sot do të përmblidhej me dy pikë më shumë.

”Jam i sigurt se, nëse ekipi luan kështu edhe në takimet e ardhshme në kampionat, nuk e diskutoj fare që Lushnja do të qëndrojë në superligë. Nuk jam euforik në këtë mendim, pasi ne si skuadër ia mbyllëm të gjitha hapësirat ekipit kundërshtar dhe nuk e lejuam të dalë në lojën e tij.

Diferenca e klasifikimit as që u vu re, madje mund të them se kemi luajtur më me dëshirë sesa kundërshtari. Sigurisht që ekipin e kishim motivuar për të bërë më të mirën, por vetëm për pak siguri më shumë, sulmi ynë mund të na kishte dhënë tripikëshin,” - shton Gjyla. Ndërkohë që lushnjarët marrin një pikë në transfertë, më të afërtit në tabelën e klasifikimit marrin tri të tilla në Ballsh.

Tashmë Partizani dhe Bylisi janë tri pikë larg Lushnjës dhe Apolonia shkëputet më shumë pas fitores në Vlorë me Flamurtarin. Situata nuk lejon hap të gabuar në Lushnjë ditën e mërkurë, ku do të luhet java e 19 të e kampionatit dhe do të përballen me Elbasanin.

“Ekipi ynë, nëse do të japë atë rendiment që dha në Kavajë ndaj Besës, duke korrigjuar edhe finalizimin në ato dy ditë që kemi në dispozicion, nuk do ta diskutoj tripikëshin ndaj Elbasanit, edhe pse në stadium nuk do të lejohen tifozët tanë, që edhe në Kavajë ishin të shumtë në numër. Do të kërkojmë maksimumin edhe në këtë takim që të jemi në garën e kampionatit,” - ka përfunduar prononcimin e tij Ilir Gjyla.

lajme

Mbushen radhët e Lushnjës me të rinj

28 Janar 2009    Rikthehet Xhagalliu, por edhe të tjerë janë në provë, pritet vendimi i Gjylës

Dita e martë, edhe pse me reshje shiu të dendura, nuk i ka ndalur përgatitjet të ekipit lushnjar në kuadër të rifillimit të kampionatit ditën e shtunë. I gjithë ekipi është stërvitur në aneksin e stadiumit “Roza Haxhiu” nën drejtimin e trajnerit Gjyla.

Ditën e djeshme është parë një numër i madh prurjesh të reja në kampin lushnjar. Edhe pse organika e ekipit është goxha e madhe, janë stërvitur nën drejtimin e trajnerit Gjyla edhe tre futbillistë të rinj. Xhagalliu është stërvitur me ekipin dhe flitet për një rikthim të tij me fanellën verdhejeshile, por ende nuk kanë përfunduar bisedimet për firmosjen e një kontrate.

Kur mbeten vetëm pak ditë në dispozicion të trajnerit dhe skuadrës së Lushnjës për ndeshjen e transfertës së Kavajës, regjistrohen të ardhur për t’u provuar këta futbollistë: Alert Alcani, Sokol Çela, që erdhën të hënën, Gerald Asmetaj, qendërmbrojtës nga radhët e Partizanit, Salasi, portier i të rinjve të Dinamos, Guido Tepshi, sulmues i të rinjve të Teutës së Durrësit dhe i grumbulluar me kombëtaren e Shpresa. Këtyre emrave u shtohen edhe Andoni dhe Baze, të cilët kanë marrë pjesë në stërvitjen e zhvilluar nga ekipi verdhejeshil në Ulqin.

 ”Eshtë e vërtetë që po provojmë disa futbollistë që kanë ditë që stërviten me ekipin. Për ta do të vendosim vetëm pas seancës stërvitore të ditës së nesërme (të sotme), se cili mund të qëndrojë për në ekip,” - është shprehur shkurt trajneri Ilir Gjyla, i cili ka ditë që kërkon kompletimin e ekipit që mori përsipër të drejtojë. Pas përfndimit të kolaudimit të grupit, siç parapëlqen ta cilësojë situatën trajneri verdhejeshil, tashmë pritet që të punojnë drejtuesit e klubit për kushtet e tjera që do t’u afrohen futbollistëve, të cilët janë duke u stërvitur me ekipin lushnjar, por këto vetëm pasi të vendoset nëse janë të vlefshëm apo jo për stafin teknik.

“Periudha që na pret është e vështirë dhe sigurisht që do shumë sakrifica nga ana jonë, madje mund të them se ndeshja e fundjavës që po afron do të jetë një gur prove për ne. Të gjithë e dimë se fatet e skuadrës sonë varen shumë nga rendimenti ynë në fushën e lojës dhe kjo matet vetëm me anë të pikëve dhe golave të shënuar,” - ka thënë Klodian Arbri, një nga sulmuesit e ekipit lushnjar, që megjithëse e nisi këtë sezon jo në formën e duhur, me këmbënguljen e tij dhe stërvitjen rigoroze është duke u kthyer në formën e para shumë viteve, siç e mbajnë mend shumë sportdashës lushnjarë. “Sigurisht që kam punuar shumë dhe më vjen mirë që në grumbullimin e ekipit jashtë shtetit shënova gjatë një takimi miqësor.

Dua të jem sërish ai i para disa viteve për ekipin lushnjar dhe kam mendimin se nuk do t’i humbim shpresat që ekipi i Lushnjës të jetë mes më të mirëve, duke mos rënë nga kategoria. Unë jam optimist dhe i tillë do të mbetem deri në fund të kampionatit,” - ka përfunduar fjalën e tij “Loku”, siç janë mësuar ta thërrasin tifozët lushnjarë. Sytë e tifozërisë lushnjare nuk munguan as në ditën e djeshme nën shi të shikonin nga afër jo vetëm ekipin e tyre të stërvitej, por edhe gjithë kuriozitet aftësitë e të ardhurve, të cilët janë duke u studiuar imtësisht nga stafi teknik i skuadrës lushnjare.

lajme

E para ne fushe asnjanase, Lushnja zgjedh Beratin

10 Dhjetor     Trajneri Vasil Bici: “Kështu tifozët kanë mundësi të na ndjekin”

Klubi lushnjar po bëhet gati për ta luajtur në stadiumin “Tomori” përballjen Lushnja-Bylis. Drejtuesit e verdhëjeshilëve kanë vënë në dijeni sekretarin e klubit beratas Artur Karaj lidhur me mundësinë e zhvillimit të ndeshjes. Në kampin verdhëjeshil presin që të zyrtarizohet gjithçka. “Është një fushë e përshtatshme për të dy ekipet. Edhe publiku që e ndjek çdo javë skuadrat respektive gjeografikisht ka mundësinë për të qënë prezent” u shpreh traineri i Lushnjës Vasil Bici. Kryepankina verdhëjeshile pas seancës stërvitore ka pak kohë për të qëndruar me mikun e tij Kapllan Pepa, ish-futbollist i shquar i viteve ’70. “Jam i kënaqur sepse përgatitjet e skuadrës për të shtunën po shkojnë mirë. Sot, do të bëjmë një test brënda llojit në fushën sportive të Plugut” tha trajneri Bici. Për ndeshjen e fundjavës me ballshiotët Lushnjes do ti mungoë mesfushori Bokotola. Afrikani ndjen dhimbje në këmbën e djathtë dhe deklaroi se do kryejë një vizitë mjekësore për të mësuar diçka më tepër dëmtimin. “Do të bëj një vizitë në Tiranë sepse e shoh që dhimbja në këmbën e djathtë po më mundon”, thotë afrikani. Ndërkohë, nuk ka asnjë lojtarë të skualifikuar për takimin e rradhës. Në përbërje të verdhëjeshilëve rikthehet kapiteni Gentian Çela dhe mesfushori tjetër Gersi Arbri. Pas skualifikimit një javor ata janë në dispozicion të teknikut Bici. “Ndeshjen me Flamurtarin e pashë në tribunë. Luajtëm si të barabartë, por, duke patur parasysh nivelin e kundërshtarit ne kishim mundësi që disa gjëra t’i bënim më mirë. Tashmë është e qartë që vetëm fitorja me Bylisin rehabiliton skuadrën. Luajmë përballë një rivali direkt në luftën për mbijetesë dhe vetëm duke marrë tri pikë mund të pozicionohemi në zonën e “plejofit” tha kapiteni lushnjar. Mesfushori fantazist tha se fusha e Beratit vlen pozitivisht për Lushnjën. “Përtej faktit që ne duhet të na ulet dënimi fusha e Beratit na shkon për mirë. Në kohën kur stadiumi ynë ishte në rikonstruksion kemi luajtur për një vit atje” tha kapiteni verdhëjeshil. Lushnja e kërkon Beratin edhe për arsyen se tre futbollistë të saj janë beratas, por, edhe veteranët Bubeqi e Elezi kanë luajtur me Tomorin. “Nëse fitojmë me Bylisin dhe ndeshja luhet në Berat i kam rezervuar të gjithë ekipit një darkë ” u shpreh sulmuesi Klodian Arbri.

lajme

Lushnja-Apolonia: Tullë kokës Shoshit, përfundon në spital

29 Nentor    Pergjaket derbi myzeqar, goditet kapiteni fierak Mareglen Shoshi

Ndeshja derbi e Myzeqesë, Lushnja-Apolonia, luajtur sot në stadiumin “Roza Haxhiu”, e fituar nga vendasit 3-1, ka shënuar edhe një incident të rëndë. Konkretisht, kapiteni i fierakëve, Maringlen Shoshi, është goditur me tullë në kokë gjatë momentit kur Apolonia po i gëzohej golit të barazimit momental 1-1, në vijën anësore te fushës, ku gjendeshin tifozët lushnjarë. Në fakt aty për aty ka qenë disi e pakuptueshme, kur është parë që Shoshi të shtrihej në tokë, sepse vëmendja ishte përqëndruar te mesi i fushës, ku lojarët vendas kishin vënë topin për të rinisur lojën, ashtu sikurse edhe gjyqtari. Por, shokët e Shoshit, kur kanë parë të gjakosur kapitenin e tyre, kanë kërkuar ndihmën e mjekut të skuadrës, i cili ka vajtur menjëherë, duke konstatuar goditjen në anën e majtë të kokës, afër tëmthit, me një send të fortë, gjysëm tulle. Ka bërë cmos që ta ndalojë gjakrrjedhjen e lojtarit në fjalë, por e cara ka qenë e madhe, kështu që i është dashur një trajtim i specializuar mjekësor kapitenit Shoshi. Në këto kushte, stafi i Apolonisë e ka dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku ka marrë edhe ndihmën e duhur. E cara është qepur tri herë, ndërkohë që kapiteni i fierakëve ka qëndruar deri në mbrëmje nën kontrollin e mjekëve, pasi tronditja ishte e madhe, si pasojë e goditjes në një vend mjaft delikat, në kokë. Një incident i tillë ka alarmuar drejtuesit e klubit fierak, të cilët e kanë reklamuar atë tek drejtuesit e FSHF-së, ndërkohë që organizatorët e ndeshjes, lushnjarët, kanë ngritur një alibi tjetër, sipas së cilës, Shoshi është ngjitur në rrethimin e stadiumit duke festuar golin e barazimit 1-1, cka ka bërë që një pjesë e rrjetës prej hekuri të shkëputet dhe t’i bjerë në kokë, duke i shkaktuar edhe plagën dhe gjakrrjedhje. Tashmë mbetet që sqarohet zyrtarisht incidenti në fjalë, prej gjyqtarit dhe vëzhguesit të ndeshjes.

 

FSHF-ja pezullon stadiumin "Roza Haxhiu"

 

I mbajtur ne mbledhjen e Komisionit te Disiplines te FSHF-se per shqyrtimin e problemeve disiplinore te konstatuara ne ndeshjet e Kampionatit Kombetar. Komisioni pasi u njoh me dokumentacionin e paraqitur nga Sektori I Garave, shqyrtoi pamjet filmike, relacionin e Ispektoreve te Disiplines, degjoi palet present dhe si i diktutoi ceshjet ne teresi vendosi:

1. Ekipi I KF “Lushnja” per hedhje sendi te forte ne fushe qe ka sjelle si pasoje demtimin e lojtarit kundershtar, ne baze te neneve 4 e 24/14 te KDS denohet me 2 (dy) ndeshje pezullim te fushes se lojes, 1 (nje) ndeshje tjeter pa pranine e shikuesve dhe 100.000 leke gjobe.

lajme

E.Korreshi: Te perseritim ndeshjen e Peqinit

14 Nentor    Mesfushori i Lushnjës, Erlind Koreshi, thotë se ndaj Tiranës nuk kanë se çfarë të humbin

Lushnja do të luajë në transfertë në javën e fundit të fazës së parë të kampionatit, ku deri më tani ka arritur të grumbullojë vetëm 7 pikë. Kjo ndeshje në transfertë do t’i provojë verdhejeshilët e drejtuar nga Bici ndaj Tiranës, kryesueses aktuale e kampionatit.

Bilanci dhe gjendja e skuadrave flet më së miri për kryeqytetasit, të cilët, megjithatë, në ndeshjet e javëve të fundit nuk është se kanë treguar ndonjë qëndrueshmëri në rezultat, por mbetet një skuadër e cila vështirë se mund të përballohet nga verdhejeshilët. Këta të fundit janë duke vazhduar përgatitjet dhe kur mbetet ende një ditë nga ky takim.

Lushnja në transfertë ka arritur të fitojë vetëm një herë, duke marrë tri pikë me Shkumbinin, ku pak ekipe arrijnë të dalin me pikë nga Peqini. Vetëm tri pikë në transfertë, por jo dhe aq shumë në shtëpi, ku lushnjarët kanë humbur ndeshje dhe pikë mjaft decizive, ose “të arta” siç i ka quajtur Bici sapo u emërua në postin e trajnerit, pas dorëheqjes së Malkos.

Por gjërat nuk ecën dhe aq mirë as për Bicin, pasi lushnjarët në dy takime në shtëpi nën drejtimin e tij kanë marrë vetëm një pikë me Teutën. Sigurisht që kulminacioni vjen në këtë javë me Tiranën, në transfertë dhe lushnjarët mendojnë të mos shkojnë aty vetëm për të marrë pjesë. “Ekipi unë vjen pas një humbjeje fatale të pësuar nga Vllaznia për kampionat dhe pas kalimit të turit të kupës me Turbinën. Gjatë gjithë kasaj jave kemi punuar të gjithë për të rritur gjendjen tonë fiziko-teknike. Trajneri sigurisht që nuk është i kënaqur nga loja jonë dhe them se do të kërkojmë më shumë te vetja për të dhënë në fushën e lojës atë që duhet dhe që skuadra jonë nuk e dha. Mendoj se, edhe pse ndoshta në plan të parë, është një ndeshje e vështirë për ne.

Them se ekipi do të zbresë në fushën e lojës për të dhënë më të mirën, ku pse jo të mos përsërisim suksesin e ndeshjes me Shkumbinin e të marrim një rezultat pozitiv, edhe pse përballë kemi Tiranën,” - tha në prononcimin e tij mesfushori Erlind Koreshi.

Ndërsa nga ana tjetër kundërshtarët duket se janë të gëzuar, pasi një ekip si Lushnja nuk ka se si të mos konsiderohet i lehtë nga kualitetet që ka në gjirin e saj Tirana dhe që sigurisht bëjnë diferencën, krahasuar kjo me verdhejeshilët, që kanë mjaft probleme në mbrojtje, repartin organizativ, aq më tepër në sulm.

Këto mangësi u vunë re edhe në ndeshjen me Turbinën, edhe pse ishte një ndeshje për kupë, ku u aktivizuan një pjesë futbollistësh që nuk kanë luajtur asnjë minutë këtë sezon futbollistik. “Nuk ka se si të mos jemi optimistë dhe them se me punën e bërë në këto ditë të paktën të mund të kemi eliminuar një pjesë të gabimeve të vëna re në takimin ndaj Vllaznisë. Kemi pësuar dy gola nga goditjet standarde dhe një për pasiguri në mbrojtje.

Gjithsesi, mendoj se skuadra do të gjejë forca e të rilindë në takimin e nesërm, për faktin se ne e bëmë një gjë të tillë me Shkumbinin, ku askush nuk besonte në një rezultat pozitiv. Futbolli i njeh këto kthime të skuadrave dhe unë mendoj se Lushnja ende nuk mund të quhet e humbur, edhe pse përballë ka një ekip si Tirana, e cila edhe ajo nuk është duke kaluar një periudhë të mirë.

Mendoj se Lushnja do të hyjë në fushë për të marrë një rezultat pozitiv, pasi e shoh te të gjithë shokët e skuadrës që duan të shlyejnë nga kujtesa humbjen e pësuar të shtunën e kaluar. Shpresoj të marrim një rezultat të mirë në Tiranë,” - e ka përfunduar prononcimin e tij Erlind Koreshi.

lajme

Lushnja, asnje 'koke e prere' ne ekip

12 Nentor    Edhe pse ishin deklaruar masa ekstreme, lushnjarët janë gjobitur me një muaj rrogë

Analiza e ndeshjes së “turpit” me Vllazninë ka qenë e gjatë dhe në të janë trajtuar mjaft tematika të problemeve, me të cilat është përballur ekipi i Lushnjës. Në mbledhje asistonin të gjithë drejtuesit e klubit të futbollit të Lushnjës, që nga presidenti Duçellari, kryetari i bashkisë, Sanxhaku, shefi i klubit, Dushi, stafi teknik, me Bicin, Bedën, Baballëkun, Shefën, Gjikën, trajnerët e moshave Durri e Taullau dhe të gjithë futbollistët e ekipit.

Ndonëse ishin paralajmëruar masa drastike nga ana e drejtuesve të klubit, ato kanë qenë jo aq të forta. “Së bashku me drejtuesit e tjerë dhe stafin teknik kemi arritur në përfundimin se do të kërkojmë maksimumin nga futbollistët, pasi në fushën e lojës nuk është treguar asgjë nga ato vlera të cilat bart ekipi në vetvete.

Nuk do të presim asnjë “kokë” dhe këta do të jenë sërish futbollistët e Lushnjës, të paktën deri në merkaton e janarit. Për këtë herë, jemi mjaftuar vetëm me një rrogë gjobë për të gjithë futbollistët që luajtën ndaj Vllaznisë. Gjithsesi, ne si klub do të ndërhyjmë për të rishikuar kontratat me futbollistët, nëse nuk arrihet të realizohet objektivi,” - ka thënë gjatë analizës presidenti Ergi Duçellari, i cili ka qenë edhe ai mjaft i shokuar nga një ekip, i cili nuk ishte në gjendje të gjente veten në fushë para ekipit shkodran.

Kështu, futbollistët lushnjarë u kanë thënë “lamtumirë” financave të muajit nëntor dhe kjo ishte më e pakta nga masat që mund të merreshin. Futbollistëve u është kërkuar që të punojnë e të shfaqen me rezultate pozitive që në ndeshjen e ardhshme të kampionatit, ku lushnjarët do të përballen me Tiranën. Bici, nga ana e tij, ka treguar se ekipi i ka mundësitë, nëse zbatohen detyrat që i ngarkohen. “Ne do të punojmë sërish me këtë grup futbollistësh.

Analiza e shkaqeve ka qenë vetëm për ne në “familje” dhe sigurisht që kam besim se në të ardhmen skuadra do të dijë të reagojë. Janë edhe mjaft ndeshje deri në pushimin e kampionatit dhe them se kemi ndeshje “të arta” në fushën tonë. Skuadrat mund të arrihen dhe them me bindje se ekipi i Lushnjës do të arrijë të jetë aty ku synon. Vetem me punë do të arrijmë ta nxjerrim këtë ekip nga gjendja ku është futur,” - ka theksuar Bici pas kësaj analize.

lajme

Lushnja: Anesori Rexha na mohoi fitoren

4 Nentor    Do të ketë edhe një shkresë zyrtare në FSHF për gjykimin e ndeshjes së fundit me Teutën

Qetësia dhe heshtja mbizotëron në kampin lushnjar pas ndeshjes së ditës së diel, ku barazimi ishte rezultati i arritur në përballjen më Teutën. Të gjithë prisnin që ekipi të arrinte një tripikësh në javën e nëntë të kampionatit, pasi kjo do të bënte që pozitat e tij në tabelën e klasifikimit të ndryshonin dhe të afrohej me ekipet e tjera.

Askush nuk mund ta besojë ende që anësori Rexha ka anuluar një gol, i cili mund ta bënte lojën të merrte tjetër rrjedhë dhe kësisoj t’i gëzoheshin një rezultati të pastër që në 15 minutat e para. Drejtuesit e klubit kanë kërkuar të merret parasysh një veprim i papërgjegjshëm nga Rexha, i cili është “përsëritës” ndaj Lushnjës.

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, ka kërkuar shpjegime nga treshja e gjyqtarëve dhe një ditë pas ndeshjes shprehet: “Do t’i bëjmë një shkresë federatës që ky anësor të mos jetë më asistent në asnjë ndeshje të Lushnjës, pasi nuk është hera e parë që na dënon me gabimet e tij, duke favorizuar ekipet kundërshtare. Kupa u mbush e të gjitha veprimet e tij kanë ndikuar në shumë ndeshje tek ekipi ynë në rezultatin përfundimtar.

Bashkë me shkresën do të çojmë edhe kasetën e ndeshjes, të cilën unë vetë me një staf specialistësh e trajnerësh e kemi parë atë moment, ku goli ka qenë shumë i rregullt, ndaj duhet të shikohet me shumë kujdes edhe nga drejtuesit e FSHF së. Kemi shpenzuar për të ndërtuar këtë ekip, që e çuam deri këtu e nuk ka të drejtë askush të tallet me shpenzimet që kemi investuar, apo edhe me ndjenjat e 5000 tifozëve, të cilët mbushën shkallët e stadiumit që 2 orë përpara fillimit të ndeshjes.”

Ndërkohë, vendi i parafundit në klasifikim i ekipit të futbollit të Lushnjës i ka shqetësuar mjaft drejtuesit e klubit, por njëkohësisht edhe trajnerin Bici, të cilit i ka lënë një shije jo të kënaqshme paraqitja e të tijve për shkak të gjendjes jo të kënaqshme fizike, sidomos në pjesën e dytë, ashtu siç e përmendi në konferencën e shtypit pas takimit.

Stafi teknik i skuadrës i ka lënë pushim futbollistët gjatë ditës së djeshme dhe pritet që sot të nisin përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku lushnjarët do të luajnë sërish në shtëpi, kësaj radhe ndaj Vllaznisë. Tifozëria lushnjare ka qenë një mbështetje e mirë për ekipin, por ashtu si drejtuesit e klubit, i ka lënë një shije të hidhur mohimi i golit të anuluar nga vijërojtësi.

“Kemi kostatuar se freskia në disa futbollistë nuk ka qenë ajo që duhet të ishte, pra jo ajo që prisnim ne,” - ka thënë ndihmëstrajneri Ramadan Baballëku, i cili ndodhet në krah të Bicit vetëm prej pak ditësh, pas dorëheqjes nga ky post i Malkos për arsye personale. “Do të fillojmë me këtë aspekt që nesër (sot) plus edhe disa mangësi të tjera që kemi konstatuar nga takimi i së dielës. Ekipi ka gjetur mbështetje dhe ka dalë nga ajo gjendje e shkaktuar nga mungesa e rezultateve. Çfarë të bëjmë kur ka edhe gjyqtarë që tregohen diletantë në momente tepër devizive. Të tillë persona nuk duhet të lejohen të drejtojnë takime në futbollin shqiptar,” - ka mbyllur fjalën e tij Baballëku.

lajme

Vasil Bici, trajneri i ri i Lushnjes

28 Tetor    Ergi Ducellari presidenti i ri, Sajmir Malko ndihmes i Bicit, Sami Shefa trajner i portierve, Llazar Dushi shef klubi

Ashtu siç edhe pritej, dita e hënë ka përkuar me disa zhvillime në kampin lushnjar. Pasdite, gjatë analizës së ndeshjes së javës së shkuar, ku Lushnja humbi në transfertën e Elbasanit, kryetari i Bashkisë Lushnjë, Albert Sanxhaku, ka prezantuar edhe drejtuesit e rinj të klubit.

President i klubit të futbollit të Lushnjës është emëruar me shumicën e votave të asamblesë Ergi Duçellari, një biznesmen i suksesshëm lushnjar. “Jam këtu së bashku me presidentin e ri për t’ju kujtuar se duhet të jepni maksimumin tuaj dhe të mos ketë më situata si ato që kemi kaluar deri më tani,” - ka thënë Sanxhaku në prezantimin e tij të presidentit të ri të klubit të futbollit të Lushnjës.

Pas analizës së takimit dhe diskutimit të tij, Sanxhaku ka prezantuar edhe trajnerin e ri të ekipit. “Vasil Bici do të jetë tashmë drejtuesi i ekipit të futbollit të Lushnjës, me të cilin kemi rënë dakord, që edhe pjesa tjetër e stafit teknik të jetë në ndihmë të tij. Sajmir Malko, deri dje trajner, do të jetë ndihmës i Bicit dhe së bashku me Gëzim Bedën. Stafit teknik të skuadrës i shtohet edhe përgatitësi i portierëve. Sami Shefa do të merret vetëm me portierët,” - ka thënë më tej Sanxhaku.

Kështu, ekipit të futbollit të Lushnjës i shtohet edhe një tjetër element, përgatitësi i portierëve, përveç përgatitësit atletik Llazar Gjika. Por të rejat nuk kanë përfunduar këtu në kampin verdhejeshil. Llazar Dushi, një tjetër emër i njohur, është emëruar shef i klubit të futbollit të Lushnjës. Dushi ka marrë postin, të cilin deri më sot e ka mbajtur Besnik Ajazi në detyrën organizative të klubit verdhejeshil.

Kryetari i Bashkisë Lushnjë ka përforcuar edhe një herë thëniet se do të përkushtohet më tepër për punën e tij si drejtues në krye të pushtetit vendor dhe se nuk do të mungojë mbështetja e tij për sportin, e cila në fakt deri më sot ka rezultuar jo e frytshme. “Dua nga ju të reflektoni dhe të merrni fitore në këto ndeshje të fazës së parë.

Edhe në ndeshjen e së mërkurës në Cërrik për Kupën e Shqipërisë, pres rezultat të bazuar në punën tuaj,” - u është drejtuar futbollistëve në fund Sanxhaku. Ndërkohë, në momentin që ka dalë në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu” i sapoemëruar në postin e trajnerit të ekipit verdhejeshil, Vasil Bici është duartrokitur nga tifozët në tribunë. “Jam i kënaqur që kam arritur të bie dakord me drejtuesit e Lushnjës dhe të jem trajner i ekipit. Mendoj se ekipi ka humbur mjaft pikë në fushën e tij.

Me sa kam dijeni, janë katër ndeshje, pikët e të cilave duhet të jenë konsideruar të shenjta. Më ngroh entuziazmi i tifozërisë dhe them se do të arrijmë t’ia dalim mbanë objektivave për superligën. Eshtë e vështirë, por jo e pamundur.

Nëse nuk do ta shihja kështu, nuk do të pranoja të merrja këtë detyrë. Do të fillojmë nga puna menjëherë, që në ndeshjen e ardhshme të marrim rezultatin e duhur. Unë përveç ndeshjes së “play-off”-it, nuk e kam parë ekipin lushnjar, por disa futbollistë i njoh mjaft mirë, sepse kam punuar me ta më parë. Sigurisht që ndeshja e radhës në kampionat duhet të vlerësohet dhe që aty duhet të marrim pikët,” - ka qenë prononcimi i parë i trajnerit të sapoemëruar të Lushnjës, Vasil Bici. 

lajme

Sanxhaku: Lushnja te reagoje, perndryshe...

22 Tetor    Presidenti Albert Sanxhaku konfirmon largimin dhe pritet zgjedhja e presidentit te ri

Lushnjarët, me humbjen e ndeshjes së javës së shtatë të kampionatit në “Roza Haxhiu”, kanë rënduar pozitat e tyre jo vetëm në tabelën e klasifikimit. “Kemi zhvilluar një analizë të gjatë me futbollistët dhe stafin teknik, ku kemi nxjerrë përgjegjësitë për takimin dhe faktorët që ndikojnë në rezultat. Pjesë e kësaj analize jam bërë edhe vetë, ku për dy orë kemi nxjerrë në pah gabimet, të cilat po na ndëshkojnë,” - ka thënë Albert Sanxhaku, i cili deklaron gjithashtu se do të jetë, ashtu siç ka premtuar, ish-drejtues i klubit të Lushnjës.

“Nga ana e tyre, futbollistët e ekipit në analizë më premtuan se do të bëjnë kthesën në takimin e radhës. Ndeshja me Elbasanin është e vështirë, por nuk mund të them që është e pakalueshme, pasi ne kemi një ekip shumë të mirë e futbollistë cilësorë, për të cilët kemi investuar jo pak. Pres sigurisht reagimin e duhur nga ekipi, pasi nëse nuk arrin një rezultat pozitiv, nuk do të tregohem më zemërgjerë, por do të marr masa ndaj të gjithëve, duke filluar nga gjobat e deri edhe në masa më ekstreme dhe largime nga ekipi,” - ka thënë më tej Sanxhaku.

Tashmë Sanxhaku thotë se do të jetë vetëm i përkushtuar për postin e tij si kryetar i Bashkisë së Lushnjës, pasi disa javë më parë deklaroi edhe dorëheqjen si president i klubit, çka solli edhe pak shqetësim te të gjithë. Por Sanxhaku nuk e ka lënë me kaq. “Klubi i Lushnjës shumë shpejt, brenda kësaj jave, do të ketë edhe presidentin e ri, çka do të sillte më shumë garanci.

Dorëheqja ime është përfundimtare dhe së shpejti kompetencat e mia do t’i kalojnë një biznesmeni lushnjar, i cili do të mbështesë skuadrën e futbollit. Unë kam edhe impenjime të tjera për këtë qytet, të cilat nuk duhet t’i lë pas dore. Emri i presidentit do të bëhet i ditur pasi të mbledhim bordin drejtues të klubit, që do të jetë struktura që do të shoqërojë këtë zëvendësim,” - ka shtuar në prononcimin e tij Albert Sanxhaku.

Mbështetja nga ana e tifozërisë për ekipin ka qenë një çështje që është cilësuar si jo e duhura nga Sanxhaku, i cili e sheh si futbollistin e 12-të të ekipit, por që për të ka munguar. “Nuk më duket një sjellje e denjë për tifozët që të mos aprovojnë futbollistët në fushën e lojës, në vend që t’i mbështesin. Të drejtën e formacionit e ka stafi teknik, i cili është duke bërë një punë të mirë me futbollistët, që duhet të çlirohen nga ankthi i pikëve.

Sigurisht, që ishte një presion i madh për futbollistët në takimin me Besën, sepse kërkohej vetëm fitorja. Unë besoj se ekipi i Lushnjës do të dijë të reagojë siç duhet dhe të sjellë gëzimin te të gjithë tifozët. Për këtë qëllim, ne si njësi e pushtetit vendor, do të vëmë në dispozicion 10 autobusë falas për tifozët që të ndjekin ndeshjen me Elbasanin, ku mbështetja e tyre për futbollistët është një faktor që i ndihmon dhe i ngroh për performancën e tyre,” - e mbyll Sanxhaku prononcimin e tij.

lajme

Lushnja, maksimumin edhe ndaj Beses

13 Tetor     Mbrojtesi Emiljano Cela shprehet se ekipi verdhejeshil duhet te ishte me lart

Përgatitjet e ekipit lushnjar në kuadër të kampionatit kanë vijuar ditën e djeshme me një ndeshje miqësore të luajtur në stadiumin “Roza Haxhiu” ndaj Flamurtarit të Vlorës. Lushnjarët e kishin vlerësuar këtë takim aq sa duhej, për të ruajtur formën fizike, pse jo për të treguar se çfarë janë në gjendje aktualisht të bëjnë.
“Jo se ky takim është nënvlerësuar nga ana jonë si futbollistë, por gjatë këtij takimi kemi aplikuar skema të reja në formacion, si në vendosjen e futbollistëve në fushë, ashtu dhe në ruajtjen e gjendjes fizike të tyre. Mendoj se jemi një ekip që na takon të jemi më lart në tabelën e klasifikimit, por deri më tani nuk jemi aty ku duhet. Them se këtej e tutje do të tregojmë vlerat e vërteta që ka në brendësi ekipi lushnjar,” - shprehet për gazetën “Sporti shqiptar” Emiliano Çela, një prej blerjeve të ekipit lushnjar në sezonin e verës dhe që tashmë është afirmuar dhe harmonizuar mjaft mirë në radhët e mbrojtjes së ekipit lushnjar. Megjithëse gjatë disa ndeshjeve është provuar si mbrojtës, në disa të tilla gjatë këtij kampionati është aktivizuar edhe si mesfushor i mirëfilltë i krahut të majtë. Ndërsa në ndeshjen e fundit, ku lushnjarët fituan në Peqin, Emiliano Çela luajti në qendër të mbrojtjes në krah të Erion Xhafës, dhe të dy e realizuan mjaft mirë repartin e difensivës lushnjare. “Gjatë kësaj jave pushimi kemi punuar mjaft dhe kemi ende kohë për të punuar deri në ndeshjen e javës së shtatë të kampionatit. Ekipi i Besës është një ekip tradite në futbollin shqiptar, por ne jemi të bindur se jemi të aftë se do t’ia dalim me një rezultat pozitiv,” - tha më tej Emiliano Çela, i cili gjatë ndeshjes së luajtur në Peqin, ka qenë ndër më të mirët në fushë për ekipin e drejtuar nga Malko.

——————————

Lushnja-Flamurtari, 2-0 në miqësore

Ashtu si në javën e tretë në kampionat, Lushnja ka dalë fitimtare edhe dje në miqësoren e zhvilluar në “Roza Haxhiu” ndaj Flamurtarit. Vetëm me një ndryshim, dje verdhejeshilët nuk kanë pësuar gol dhe kanë shënuar po aq sa në ndeshjen zyrtare. Të dy golat janë shënuar në pjesën e dytë, ku kanë luajtur kryesisht titullarët. Golin e parë e shënoi Canka në minutën e 65-të, ndërsa dy minuta para përfundimit, G.Çela shënon golin e dytë. Kjo miqësore u ka vlejtur shumë të dy ekipeve, për t’i mbajtur në tonus futbollistët.

lajme

Malko: Askush s'mund te hedhe balte mbi Lushnjen

6 Tetor    Trajneri lushnjar Sajmir Malko nuk e quan rastesi fitoren e ekipit te tij ne Peqin

Lushnjarët i janë gëzuar tripikëshit të parë në transfertë, kur në ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit, kanë dalë fitimtarë nga fusha sportive e Peqinit, ku mposhtën Shkumbinin me rezultatin 2 - 1.
Takimi në të shumtën e tij u zhvillua nën reshjet e dendura të shiut, por gjithsesi lushnjarët arritën të bindin në lojë dhe në rezultat. Fillimisht ishin vendësit, që pas një faulli të shkaktuar nga mbrojtja lushnjare, morën një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Turdiu. Pavarësisht se deri në ato momente të lojës të dy ekipet po luanin si të barabarta në fushë, goli i mobilizoi më tej lushnjarët, të cilët edhe pse në një fushë të vështirë, ku nuk fitonte asnjë skuadër prej dy vjetësh, arrijnë të gjejnë golin e barazimit në fund të pjesës së parë. Lushnjarët iu përgjigjën grintës së peqinasve me grintë dhe dëshirë për të bërë më të mirën. Kjo dha rezultat, kur Gentian Çela nuk fali nga pika e bardhë e penalltisë së fituar nga Fatjon Topi, i rrëzuar në zonë. Pasuan mjaft aksione të vendësve, por lushnjarët u treguan të aftë të zbrapsin të gjitha tentativat për barazim, duke shfrytëzuar edhe hapësirat që linin futbollistët e Shkumbinit në prapavijë. Ekipi lushnjar ka treguar me të vërtetë vlerat e tij, duke marrë tri pikë të para për këtë sezon jashtë fushës së tij dhe pikërisht me një ekip që nuk fal kollaj. Trajneri lushnjar Sajmir Malko, në lidhje me takimin e ditës së shtunë, ku futbolistët e tij arritën të përmbysnin disavantazhin e krijuar ndaj tyre, u shpreh: “Sigurisht që jemi të gjithë të gëzuar nga kjo fitore e arritur me meritë. Thjesht çuditem kur kjo konsiderohet surprizë. Në të gjitha ndeshjet ne kemi luajtur për tri pikë. Rezultatet dukeshin që nuk do të vononin dhe erdhën. Ne jemi të bindur te grupi i futbollistëve që kemi në dispozicion dhe them se ekipin e kishim karikuar siç duhet për këtë takim, ku nuk mungoi dalja në pah e aftësive të tyre. U ndëshkuam mjaft shpejt me gol, por djemtë treguan karakter dhe ditën të reagojnë. Fillimisht barazuam dhe më tej në pjesën e dytë përmbysëm gjithçka në favorin tonë me një lojë bindëse. Shfrytëzuam më së miri dhe epërsinë numerike dhe u treguam të qetë, madje mund të them se me pak kujdes mund ta kishim trefishuar rezultatin.” Në fakt, ka qenë një javë përgatitjesh që sollën një rezultat të tillë, kur lushnjarët vuanin për rezultat, pasi loja e tyre ka ardhur në ngritje nga java në javë. “U munduam të rikuperonim repartet që na çalonin dhe sigurisht futbollistët që hodhëm në fushë dhanë më të mirën e tyre. Terreni ishte i vështirë dhe kundërshtari përdori goditjet standarde për të na ndëshkuar, por të gjithë futbollistët treguan përqëndrim gjatë gjithë lojës duke dominuar mbi kundërshtarin në të gjitha aspektet, sidomos në aspektin fizik. Ashtu siç mund të kishim shënuar në fund të lojës me kundërsulm, ashtu mund të kishte shënuar edhe kundërshtari. Ne e merituam fitoren dhe askush nuk mund të hedhë baltë mbi djersën tonë,” - e ka mbyllur prononcimin e tij numri një i stolit lushnjar, Sajmir Malko. Sakaq, mësohet se futbolllistët janë lënë pushim sot, ashtu si edhe ditën e diel. Përgatitjet për takimin e radhës do të fillojnë të martën, duke parë edhe ndërprerjen e kampionatit kombëtar për dy javë.

lajme

Lushnja, morali nuk e gjunezon ekipin

2 Tetor   Verdhejeshilet po pergatiten per te nxjerre nje ndeshje pozitive ne Peqin me Shkumbinin.

Lushnja ndodhet para një prej vështirësive më të mëdha që ky klub ka hasur në të gjithë veprimtarinë e tij futbollistike. Largimi i sponsorit kryesor të ekipit, presidentit Sanxhaku, duket se nuk e ka ndërprerë punën që po bën stafi teknik në kuadër të ndeshjes së radhës në kampionat. Java e 6-të e kampionatit e angazhon ekipin verdhejeshil në fushën e vështirë të Peqinit, ku mjaft prej skuadrave të ligës së parë kanë dalë pa pikë. Largimi i Sanxhakut nga drejtimi i klubit të futbollit të Lushnjës është parë me habi nga të gjithë në kampin verdhejeshil, por më e çuditshmja ka qenë pjesëmarja e tij në analizën e bërë për takimin e luajtur ndaj Dinamos. Pjesëmarrja e tij në të ka qenë vërtet një fije shprese për të gjithë, ndërsa ish-presidenti nuk është prononcuar për asgjë në lidhje me drejtimin e ekipit. Pritet të merret ndoshta nga ndonjë prej investitorëve me emër në qytetin myzeqar. Sakaq, në kampin verdhejeshil vazhdojnë përgatitjet për takimin e radhës me ekipin e Shkumbinit në transfertë, e cila është më të vërtetë një nga ndeshjet më të vështira që mund të pritet për lushnjarët. Nëse u referohemi shifrave të takimeve të luajtura në Peqin, ndeshjet janë fituar nga vendësit dhe një numër i vogël takimesh kanë përfunduar në barazim. Një tabu kjo të cilën futbollistët e Sajmir Malkos duhet ta shkatërrojnë dhe nisur nga gjendja në të cilën ndodhen në tabelën e klasifikimit, kërkohet patjetër një ndryshim. Por a do të vijë kjo në ndeshjen e javës së gjashtë të kampionatit? Tashmë pas këtyre javëve të para, ku Lushnja ka qenë afërsisht e barabartë në lojë me kundërshtarët, të gjithë janë të bindur se, nëse bëhet kujdes, mund të arrihet diçka. Jo pa qëllim trajneri Malko ka qenë i pranishëm në takimin e luajtur në Elbasan midis vendësve dhe Shkumbinit. Pasditen e djeshme është luajtur edhe një ndeshje kontrolli, ku është ideuar formacioni kryesor, të cilin Malko mendon të hedhë në fushën e lojës për t’u bërë ballë peqinasve. Sipas të gjitha gjasave, të gatshëm për ndeshjen e radhës do të jenë të gjithë të besuarit e Malkos, ndër të cilët do të jenë edhe të rikthyerit nga dënimet për kartonë, si Emiliano Çela dhe Gersi Arbri në mesfushë. Pritet që loja e lushnjarëve të ketë një tjetër temp, kur në sulm mund të aktivizohet sërish nga minuta e parë Klodian Arbri së bashku me të afirmuarin Dorian Bubeqi.

lajme

Lushnja ka sot 5000 arsye per te fituar me Dinamon

27 Shtator   Priten pesemije tifoze. Ka edhe premio 300 euro c'do lojtar per te mundur blute.

Lushnja si qytet po përgatit një atmosferë të ngrohtë sportive lidhur me përballjen midis verdhëjeshilëve dhe bluve në “Roza Haxhiu”. Takimi po përjetohet tek tifozët e Lushnjës, që presin një ndeshje të madhe nga beniaminët e tyre. Të vetëdijshëm që skuadra ka nevojë për mbështetje, në një moment ku duhen pikë, publiku lushnjar do të jetë prezent me një pjesëmarrje aktive. Rreth 5000 shikues mendohen sot pasdite në “Roza Haxhiu”.

Lushnja si klub është kujdesur në maksimumin e mundshëm lidhur me përgatitjen e ndeshjes. Grumbullimi i skuadrës në Divjakë, në kushte të mira për ushqim fjetje dhe stërvitje dhe një premio në rast fitoreje ka qënë një shtysë për të besuar tri pikët e dëshiruara. Vetë kryebashkiaku lushnjar Albert Sanxhaku, një kohësisht president i verdhëjeshilëve ka kërkuar që të bëhet gjithçka që mundet të bëhet. Kreu i qytetit është një tifoz i zjarrtë i skuadrës dhe përkujdesi i tij tashmë nuk përbën lajm.

Lushnja si skuadër është super e motivuar për ndeshjen. Ndihet një mobilizim total tek verdhëjeshilët dhe java e përgatitjeve është mbyllur mjaft mirë, me seancën e fundit të zhvilluar dje pasdite në Divjakë. Prononcimi për shtypin është vetëm një togfjalësh: “Do t’i shprehim të gjitha mundësitë tonapër të thyer Dinamon”. Është një “poker” mungesash me Xhafën e dëmtuar, Sisokon, G.Arbrin dhe E.Çelën të skualifikuar. Por, tek Lushnja ka një numër të madh futbollistësh dhe 11?tëshi i sotëm duket si i “salduar”.

Traineri i Lushnjës Sajmir Malko mund të konfirmojë në prapavijë po atë mbrojtje që luajti në Ballsh, me Spahon midis tre shtyllave duke i besuar eksperiencës së Hasallës, Dhimës dhe Ndonit. Në mesfushë hapsirë për të rinjtë Bakiasi dhe Korreshi. Pritet roli kyç i kapitenit Çela dhe afrikanit Bokotola. Maja e sulmit mund të njoh Bubeqin, ndërsa Klodian Arbri mund të jetë asi nën mëngë i trainerit Malko.